Kushtetuesja refuzon kërkesën e Arsiqit për pezullimin e zbatimit të Rregullores së BQK-së, që ndalon dinarin
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit.
Kushtetuesja e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Vasilje Arsiqit, për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.
“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa të shpallet e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe rrjedhimisht (ii) të refuzohet kërkesa për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së lartcekur të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me miratimin e Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme nga Bordi I Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, sipas nenit 35 (Valuta euro) të së cilës, është përcaktuar që (i) valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme në kuptim të nenit 11 [Valuta] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16 (Emetimi i valutës), 17 (Këmbimi i kartëmonedhave dhe monedhave të euros) dhe 18 (Kartëmonedhat dhe monedhat e euros të dëmtuara) të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; dhe (ii) Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.