Kurti dhe Vuçiqi nesër do të takohen në Bruksel, do të priten nga Borrelli

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nesër, më 26 qershor, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Bruksel ata do të priten në takim nga kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kështu u bë e ditur në njoftimin e lëshuar për media nga Shërbimi Diplomatik i BE-së.

Në njoftim thuhet se Kurti dhe Vuçiqi e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”.

Bashkimi Evropian thekson se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrellit dhe “do të fokusohen në rrugën përpara. Do të ketë deklarata për mediat nga përfaqësuesi i lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS-it”, thuhet në njoftim.