Guterres akuzoi Tel Avivin për dezinformim, izraelitët i bëjnë thirrje të japë dorëheqjen

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres akuzoi Izraelin për përhapjen e dezinformatave rreth tij gjatë luftës më shumë se tetë mujore midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

“Kam dëgjuar vazhdimisht të njëjtin burim të thotë se nuk kam bërë kurrë deklarata agresive kundër Hamasit, se kurrë nuk e kam dënuar Hamasin, se jam mbështetës i Hamasit,” tha Guterres në një konferencë për shtyp lidhur me vlefshmërinë e informacionit.

“Unë e kam dënuar Hamasin 102 herë, 51 prej tyre në fjalime zyrtare, të tjerat në forume të ndryshme. E vërteta, në fund, gjithmonë fiton”, tha ai.

Ambasadori i Izraelit në OKB Gilad Erdan theksoi se dënimet e Guterres janë “fjalë boshe në krahasim me veprimet e tij”.

“Qëllimi i tij i vetëm është të ndihmojë Hamasin të mbijetojë këtë luftë. Ne e shohim për të ardhur keq që Sekretari i Përgjithshëm refuzon t’u përmbahet standardeve të OKB-së dhe paraqet një pamje të shtrembëruar të ngjarjeve në terren. Antonio Guterres është bashkëpunëtor i terrorit dhe duhet të japë dorëheqjen sot”, tha ambasadori izraelit.

Marrëdhëniet midis Kombeve të Bashkuara dhe Izraelit kanë qenë prej kohësh të tensionuara dhe janë përkeqësuar gjatë luftës Izrael-Hamas.

Izraeli ka akuzuar OKB-në për njëanshmëri ndaj saj dhe stafin e OKB-së për bashkëpunim me Hamasin dhe militantë të tjerë.

OKB-ja po heton disa nga akuzat, por ka sqaruar se në shumë raste ende nuk ka marrë prova nga Izraeli. /abcnews