Raporti i DASH-it: Kosovës i rekomandohet të shqiptojë dënimet e duhura për trafikim me qenie njerëzore

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) publikoi raportin vjetor mbi trafikun e qenieve njerëzore në mbarë botën.

Gjatë publikimit të tij, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dokumenti ofron vlerësimin më gjithëpërfshirës rreth fenomenit si dhe përpjekjeve të qeverive për ta luftuar atë.

Ai shtoi se duke matur përparimin e shënuar në 188 vende – përfshirë Shtetet e Bashkuara – Uashingtoni synon zbatimin e angazhimit të presidentit amerikan, Joe Bidenm për të parandaluar trafikimin, për të ndjekur penalisht autorët e këtij krimi, si dhe mbrojtjen e viktimave të tij.

Sekretari Blinken tha se rreth 27 milionë individë në të gjithë botën janë të shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial. Nëpërmjet forcës, mashtrimit dhe detyrimit, ata detyrohen të punojnë në fusha dhe fabrika, në restorante dhe banesa. Viktima janë individët më të pambrojtur në botë – duke përfituar nga gjendja e tyre e vështirë.

Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale.

Në nivelin e dytë hyjnë ato vende, përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale, por që qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.

Në nivelin e tretë futen vendet përpjekjet e të cilave nuk plotësojnë tërësisht standardet minimale dhe që qeveritë nuk bëjnë përpjekje në këtë drejtim.

Si Shqipëria ashtu edhe Kosova renditen këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, në kategorinë e vendeve të nivelit të dytë.

Kosova

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme. Ato përfshinin dënimin e të gjithë trafikantëve me burgim, aty ku ishte e përshtatshme dhe mosshqiptimin e ndonjë dënimi vetëm me gjobë.

Në raport thuhet se Qeveria rriti përpjekjet e përgjithshme parandaluese, përfshirë shtimin e fondeve për fushatat ndërgjegjësuese dhe shpërndarjen e manualeve për parandalimin e trafikimit të fëmijëve.

Por, në raport konstatohet se megjithatë, Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.

“Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Edhe pse gjyqtarët dhanë dënime më të forta, dënimet megjithatë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga Ligji kundër trafikimit”, thuhet në raport.

Profili

Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktima vendase dhe të huaja në Shqipëri si dhe jashtë vendit.

Trafikantët shfrytëzojnë për seks e punë të detyruar gratë dhe fëmijët shqiptarë veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Ata përdorin premtime të rreme, si oferta për martesë ose punësim, për të joshur viktimat e tyre.

Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin, ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar dhe gjithashtu i detyrojnë fëmijët të kryejnë vepra penale, përfshirë vjedhjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Trafikantët shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom dhe egjiptian, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Organizata joqeveritare kanë njoftuar se trafikantët i detyrojnë fëmijët të shesin lëndë narkotike kryesisht në shkolla. Trafikantët shfrytëzojnë viktimat shqiptare për qëllime seksuale në të gjithë Evropën, veçanërisht në Belgjikë, Greqi, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Francë. /REL

*Ky lajm fillimisht është publikuar në Zërin e Amerikës