Rusia fajëson SHBA-në për katër vdekjet në Krime, zotohet se do të ketë pasoja

Rusia ka fajësuar SHBA-në dhe u zotua për “pasojat” për një sulm raketor ukrainas në Sevastopol në Krimenë e pushtuar të dielën, për të cilin zyrtarët thonë se vrau katër persona, përfshirë dy fëmijë.

Rreth 150 të tjerë u plagosën në sulmin pasi mbetjet e raketave ranë në një plazh aty pranë, raporton BBC.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se raketat e përdorura nga Ukraina ishin raketa ATACMS të furnizuara nga SHBA dhe pretendoi se ato ishin të programuara nga specialistë amerikanë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e quajti sulmin “barbar” dhe akuzoi SHBA-në për “vrasjen e fëmijëve rusë”.

Ai vuri në dukje komentet e presidentit Vladimir Putin, i cili kohët e fundit u zotua të synojë vendet që furnizojnë me armë Ukrainën.