Tahiri për takimin Kurti - Vuçiq: Shkon për “vetëmenaxhimin” dhe draftstatutin e Asociacionit, s’del prej këtyre temave

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk mund të priten rezultate nga takimi i 26 qershorit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Tahiri ka thënë se nuk beson që del “jashtë temave që Kurti ka prodhuar qe dy vjet” e që, sipas tij, “janë “vetëmenaxhimi” i serbëve dhe draftstatuti i Asociacionit”.

“Produktet e Kurtit në dialog i kemi pa, vetemenaxhimi, Ohri, draftstatutin që e ka në tavolinë dhe nga BN-ja i kërkohet ta dërgojë në Kushtetuese…Nuk mund të presim që mund të dalë jashtë këtyre temave…Nuk e di agjendën, mirëpo çka vlerësoj është që komplet angazhimi në këtë takim do të jenë në këto tema që Kurti këto 2 vjet, vetëmenaxhimi dhe draftstatuti…Ai e ka prodhuar këtë”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Ishte një periudhë e pushimeve edhe pse nuk do të duhej të ishim në pushim. Mirëpo mungesa e agjendës parlamentare ka bërë që për një kohë të mos takohemi. Vendit i duhet një qeveri e re për ta nxjerrë nga kjo krizë. Ndërsa, qe dy vjet e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi parë. Nuk mund të presim që do të dalë diçka jashtë këtyre temave në takimin e radhës”, u shpreh ai.