Gërvalla, pjesëmarrëse në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së

Me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për Luksemburg, për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Ministria, në këtë takim Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimeve evropiane, sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë kësaj vizite zyrtare në Luksemburg, Gërvalla do të marrë pjesë në shënim e Ditës Kombëtare të Luksemburgut, me ftesë të Dukës së Madh.

Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.