Një person gjendet pa shenja jete brenda një veture në Sllatinë

Një person është gjetur pa shenja jete brenda një veture në fshatin Sllatinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa, siç tha ai, mjekët emergjentë kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një trup të pajetë brenda një veture në fshatin Sllatinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull”, ka thënë Borovci.

Tutje, ai tha se aktualisht Policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato të ekzaminimit.

“Me qëllim sqarimin dhe ndriçimin e plotë të ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, tha ndër të tjera Borovci.