Shkurtohet lista e pritjes për rezonancë magnetike, pritja vetëm një muaj e gjysmë
Lista e pritjes për pacientët që kanë nevojë për ekzaminime me rezonancë magnetike, është rishikuar dhe shkurtuar në një muaj e gjysmë nga 13 muaj sa ishte para dy viteve.
Kështu ka deklaruar drejtoresha e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shkëndije Nuza.
Ajo ka thënë se si Klinikë janë duke u ballafaquar edhe me aparatura të vjetra të cilat kanë pasur edhe defekte, që sipas saj, tani më janë rregulluar.
Nuza ka thënë se për pacientët që kanë nevojë për ekzaminime me ultrazë lista e pritjes është deri në tri javë, ndërsa ekzaminimet me CT, lista e pritjes është deri në dy javë.
“Duhet të kemi të qartë përveç pacienteve spitalor as një herë nuk presin, ekzaminimet me rëngën pacientët as një herë nuk ka ekzistuar listë e pritjes, ekzaminimet me ultrazë listën e pritjes e kemi diku brenda dy deri në tri javë, për arsye se kërkesat janë të vazhdueshme edhe kërkesa shumë të mëdha kemi edhe prej mjekësisë primare. Ekzaminimet me CT, dihet se Klinika e Radiologjisë punon me tre aparate të CT-së, tri janë para dite, ndërsa dy janë 24 ore, njëra pranë spitalit të fëmijëve, dhe CT-ja e emergjencës që punon 24 orë, lista e pritjes për CT është dy javë. Listë të pritjes, nëse do ta quajmë listë të pritjes për krahasim me listat e pritjes së përparme me rezonancë magnetike për rastet e ftohta, për rastet që presin është fundi i muajit korrik. Do të thotë është një muaj e gjysme, lista e pritjes për ekzaminime me rezonancë magnetike për rastet e ftohta. Ndërsa për rastet onkologjike gjithmonë siç e kemi cekur edhe më herët planifikohen sipas kërkesave të onkologut, do të thotë nëse onkologu dëshiron që kjo të bëhet pas dy jave do ti krijohet hapësira, nëse e kërkon pas tre muajve ne duhet të krijojmë një listë të re, listat e pacienteve onkologjikë janë lista të planifikuara. Për rastet emergjente punon 24 orë rezonanca magnetike”.
Nuza në këtë intervistë ka treguar edhe numrin e shërbimeve që kjo klinik ka ofruar për pesë muajt e parë të këtij viti.
“Në raportin e fundit pesë mujor, ka një numër të madh të shërbimeve të cilat kryhen prej të cilëve me rëngën-radiografi janë kryer gjithsej 32 mijë 460 pacientë, ekzaminime me CT kemi 13 mijë e 422 pacient, rezonanca magnetike për pesë mujor janë 5 mijë e 734 pacient, ekzaminime me mamografi në pesë mujor janë 760 pacientë, ekzaminime me ultrazë i kemi 10 mijë e 832 ekzaminime kjo përfshin edhe ndërrimin e paradites dhe me kujdestari. Ekzaminime me CT angiografi janë rreth 700 pacient, ekzaminime intervente endovaskulare janë 38 pacient, ekzaminime me biopsi kjo përfshin biopsinë pjesën jo vaskulare që është 505 pacient në pesë muaj, ekzaminime me trombektomi janë kryer gjithsej 6 pacient dhe biopsi të gjirit janë kryer 97 pacient”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e Radiologjisë ka thënë se si klinikë kanë aparatura të vjetra shumica e të cilave janë rregulluar, ajo ka thënë se për momentin jashtë funksioni kanë CT-në e cila gjendet pranë Klinikës së Neurologjisë.
Ajo ka shtuar se së shpejti kësaj klinike do ti shtohet edhe një CT e cila është donacion i Ambasadës Amerikane.
“Ka tash, duke pasur parasysh disa prej aparaturave janë pak më të vjetra por ka pasur defekte për të cilat shumica janë reviduar, për momentin jo funksionale vetëm e kemi CT-në pranë Klinikës së Neurologjisë, po së shpejti besoj që do të bëhet zgjidhje dhe do të vjen CT që është donacion nga Ambasada Amerikane që vjen në ndërtesën e emergjencës”, ka thënë ajo.
Nuza ka theksuar se si Klinikë nuk janë duke u ballafaquar me ikje të mjekeve.
“Klinikën e Radiologjisë për momentin për çështje familjare vetëm një teknike ka dhënë dorëheqje. Por jo tjerë për çështje të punës për momentin ende nuk ka dikush që ka kërkuar një pëlqim për punësim jashtë shtetit”, ka thënë ajo.
Me lista të pritjes po ballafaqohen edhe Klinikat tjera, ku shumë pacientë presin në radhë me muaj për ndërhyrje. /EO