Armenia njeh Palestinën

Armenia e njohu Palestinën si shtet të premten në mëngjes, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Armenisë.

Në përgjigje të njohjes, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin armen në Izrael për një "qortim të ashpër", transmeton Zeri.info.

Armenia mbështet një rezolutë të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe është në favor të një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, thuhet në të njëjtën deklaratë.

Armenia nuk e njeh Kosovën, por deputetët e saj votuan pro raportit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Armenia është bërë gjithnjë e më shumë e lidhur ngushtë me Iranin vitet e fundit, mes tensioneve në rritje me Azerbajxhanin. Disa burime raportuan se në vitin 2023 kishin parë ushtarë iranianë në anën armene të kufirit me Azerbajxhanin.

Sipas raporteve franceze, Irani dërgoi agjentë në Jerevan për të menaxhuar Xhaminë Blu, e cila u ndërtua në Armeni gjatë sundimit të Iranit. /Zëri