Pas Prishtinës dhe Pejës, Policia sot në aksion kundër fajdexhinjve në Gjilan

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas operacionit të suksesshëm të realizuar dje në rajonet Pejë dhe Prishtinë, sot më datën ka vazhduar me aksionin e radhës në tri lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit.

Policia ka njoftuar se ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policor, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’, për të cilat janë hetuar”.

“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës, me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportivë, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme, si dhe dëshmi të tjera materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve. /Zëri