Radioja “Kosova e Lirë” me akuza kundër Nusret Pllanës: Uzurpoi bunkerin në malet e Berishës me mbështetjen e Kurtit

Radioja “Kosova e Lirë” ka dalë me një reagim, ku ka drejtuar akuza kundër Nusret Pllanës, lidhur me bunkerin në malet e Berishës, duke thënë se e ka uzurpuar, duke u përkrahur fuqishëm nga kryeministri Albin Kurti, i cili e vizitoi bunkerin para një jave.

Reagimi vjen pasi Pllana dërgoi dje një ftesë për zbulimin e obeliskut të bunkerit të radios “Kosova e Lirë”.

“Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga barbaria serbe dhe 25-vjetorin e përfundimit të suksesshëm të transmetimit të programeve të radios “Kosova e lirë” (21 qershor 1999), ju ftojmë të merrni pjesë në zbulimin e obeliskut të bunkerit të radios ‘Kosova e lirë’, më 21 qershor 2024, në orën 13:00, në majën e lartë të malit Pallanik, në fshatin Berishë”, thuhet në ftesë.

Në reagimin e radios “Kosova e Lirë” thuhet se disa muaj më parë Pllana dhe reporteri Martin Cuni janë ndarë edhe publikisht nga pjesa e përbashkët e stafit, “me qëllim të uzurpimit e përvetësimit të bunkerit të Pallanikut, ku Radioja ka transmetuar program nga 8 prilli deri më 21 qershor të vitit 1999”.

“Me rastin e 25-vjetorit të kryerjes së misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm për 25 vjet, të radios Kosova e Lirë, ky staf shkizmatik pa paralajmërim, duke qenë i përkrahur fuqishëm nga politika aktuale, konkretisht nga Albin Kurti, i cili para një jave ka vizituar bunkerin, shënon këtë ditë, ndaras, pikërisht në kohën kur mbahet manifestimi jubilar në ambientet e muzeut të radios ‘Kosova e Lirë’ në fshatin Berishë. ‘Shfaqja’ e Nusret Pllanës dhe ‘stafit’ të tij në përurimin e bunkerit të Pallanikut nuk ka të bëjë me radion ‘Kosova e Lirë’ (reagim dhe sqarim publik i Drejtorisë së Radios)”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim tutje thuhet se Pllana duhet të japë llogari publike se në emër të kujt janë marrë mjetet për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës.

“Radioja ‘Kosova e Lirë’ ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes, në vendin tonë. Andaj ata që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se Shtëpi-Muze në Berishë, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilëtdo qofshin ata.

Nusreti dha klani i tij duhet të japin llogari publike se në emër të kujt, të cilit institucion, shoqatë apo firmë, ka vjel mjete për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës, të tregojë konton bankare dhe shumën e grumbulluar për këtë destimin, të tregojë donatorët dhe marrjen kesh të parave. Në rast të mospublikimit do të ushtrohet padi penale konform ligjeve, meqë ka manipuluar në emër të Radios-Kosova e Lirë, por nuk ka asnjë vendim, asnjë pëlqim asnjë kërkesë, asnjë dokument valid në këtë segment”, thuhet tutje.

Bunkeri është vizituar para një jave nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se tash ky bunker është nën përkujdesjen e shtetit.

“Radioja ‘Kosova e Lirë’ ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit!”, shkroi Kurti.