Shpërndante kokainë në Prizren, i dyshuari duke ikur nga policia shkakton vetaksident

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast në Prizren, ku i dyshuari i cili shpërndante kokainë nuk i është ndalur policisë, ndërkaq duke ikur ka shkaktuar vetaksident.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, të mërkurën në orën 16:00.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar është duke bërë shpërndarjen e substancave narkotike të llojit kokainë. Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Narkotikëve kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin mashkull kosovar me veturën e tij, por i njëjti në sinjalizimin për ndalje nuk është ndalur dhe gjatë ikjes duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës ka shkaktuar vetaksident dhe i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Zyrtarët policorë gjatë ndjekjes së të dyshuarit në terren të papërshtatshëm kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtët janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në raport.

I dyshuari pas përpjekjeve policore është arrestuar dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 2.24 gramë.

Në konsultim me prokurorin, janë kontrolluar tri lokacione ku në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar një armë revolver pa fishekë, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 67.07 gramë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.