Thirrja e Lajçakut në Prishtinë e Beograd, përshpejtimi i zbatimit të Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçaku, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.

Vuçiqi shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetëse në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.

Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.

Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçaku u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiqi biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

Lajçaku ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

Lajçaku ka thënë se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.