Takimet e Lajçakut, Serbia insiston në themelimin e Asociacionit

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, të mërkurën është takuar në Beograd me udhëheqësit serbë.

Pas takimit me presidentin serb, emisari Lajçaku ka shkruar në rrjetet sociale se ka pasur një diskutim të hapur me Aleksandër Vuçiqin për gjendjen aktuale në dialog.

"Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm për periudhën që po vjen", ka shkruar ai.

Kurse, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shkruar në rrjetet sociale se kthimi në dialog konstruktiv ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimi i marrëdhënieve qëndron para se gjithash në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në formimin urgjent të Asociacionit të komunave serbe.

"Bashkimi Evropian si ndërmjetësues kryesor në këtë proces, ka pasur dhe do të ketë një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi", shkroi ai.

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e vetmja rrugë përpara përmes së vilës mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë në Bruksel përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutojnë për mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura një vit më parë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Diskutimi mbështetet në raportin e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell lidhur me përmbushjen e kushteve për heqjen e masave dhe burimet në Bruksel thanë se raporti propozon heqjen e tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë se Qeveria shpreson që asnjë shtet të mos kundërshtojë heqjen e masave.

“Ka pas dy-tre shtete të cilat kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pas të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave, por shumica absolute e vendeve besojnë se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, mosvendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë që i është bërë Kosovës”, ka theksuar ai.

Tashmë po bëhen një vit që kur Qeveria e Kosovës u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ku dërgimi i kryetarëve shqiptarë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në mars të këtij viti u mbush një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Zyrtarët evropianë kanë kushtëzuar integrimet evropiane dhe proceset e tjera të integrimit për të dyja vendet me zbatimin e marrëveshjes

Në muajin prill ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Kosova dështoi në muajin maj të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pasi që autoritetet nuk pranuan kërkesat e vendeve kryesore evropiane për të dërguar projekt statutin për themelimin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.