Dorëzimi i eshtrave të tre personave tek autoritetet serbe, EULEX-i: Ishim aty me përfaqësuesit e IML-së

Ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it, bashkë me përfaqësuesit e IML-së, dje në pikën kufitare në Merdar kanë dorëzuar eshtrat e tre personave, që së fundi u identifikuan.

EULEX-i ka thënë se eshtrat e një personi i janë dorëzuar familjes, ndërsa të dy të tjerëve u janë dorëzuar autoriteteve serbe.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur homologët tanë vendorë në IML dhe institucionet e tjera relevante të Kosovës, duke ofruar ekspertizë mjekoligjore dhe këshilla në kryerjen e punës komplekse të identifikimit të të gjitha mbetjeve njerëzore në morgun e IML-së, në mënyrë që anëtarët e familjes të realizojnë të drejtën e tyre për të ditur të vërtetën”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë dje për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që u dorëzuan sot janë mbajtur në Institut që nga paslufta, por ka pasur probleme për identifikimin e tyre.

“Kanë qenë në Institut, sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe, për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të mundë të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e atyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.