Përforcimi i sigurisë në kufi, Kurti viziton portin e Hamburgut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ndodhet në Hamburg për të vizituar portin e këtij qyteti, me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Vizita ka për qëllim shqyrtimin nga afër të Sistemit të Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në portin e Hamburgut.

“Kjo vizitë është pjesë e punës së vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të forcuar sigurinë në kufi për të parandaluar kontrabandën dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë. Një sistem i lëvizshëm skanimi me rreze X ndihmon në monitorimin e kamionëve të mëdhenj që kalojnë kufirin, duke garantuar kështu një nivel më të lartë të sigurisë pa penguar tregtinë. Gjermania ka shprehur dëshirën për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri bisedoi me përfaqësuesin special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, për kushtet në të cilat qeveria gjermane mund të na sigurojë një skaner të tillë.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane, duke përfshirë fushën e sigurinë. /Zëri