“Vëllai pranë vëllait, shqiptari pranë kroatit”: Dashuria dhe miqësia përhapet në Hamburg përpara ndeshjes

Sot (e mërkurë) në Hamburg, me fillim në orën 15:00, luhet ndeshja e Grupit B në Euro 2024 ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë dhe në prag të duelit mes tifozëve të këtyre dy kombëtarëve ka një atmosferë tejet miqësore.

E ndërsa ditët e mëparshme ishim dëshmitarë të disa skenave të pakëndshme nga rrugët e qyteteve gjermane para ndeshjeve të “Euro 2024”, para duelit mes Kroacisë dhe Shqipërisë, dashuria dhe miqësia u përhap në të gjithë Hamburgun.

Kroatët dhe shqiptarët prej ditës së djeshme këndojnë së bashku nëpër rrugë dhe kafene dhe mezi presin të fillojë ndeshja e sotme.

Vëmendjen më të madhe e tërhoqi mbishkrimi në bluzën “Vëllai me vëllain, shqiptari me kroatin”, e veshur nga një prej fansave shqiptarë.

Kudo që të kthehesh në Hamburg, dje (e martë) dhe sot, mund të shohësh flamuj kroat dhe shqiptarë, dhe rrugët jehojnë nga këngët e tifozëve. Çfarë mund të thuhet – një atmosferë për t’u lavdëruar.

Ndeshja e sotme është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, të cilat pësuan humbje në ndeshjet e para dhe në duelin e sotëm hyjnë pa pikë.

Kroacia pësoi një disfatë të rëndë ndaj Spanjës me rezultat 3-0, ndërsa Shqipëria i bëri rezistencë të fortë Italisë, por në fund u mund 2-1.

Aksionet janë të mëdha sot, sepse fituesi do të bënte një hap drejt kualifikimit në fazën tjetër, ndërsa skuadra e mundur do të kishte vetëm një shans teorik për të kaluar në fazën e eliminimit.