Bislimi ia theksoi Lajçakut rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Në një komunikatë për media nga Qeveria, thuhet se përgjatë takimit u bisedua mbi rrugën përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar. /Zëri