ATK-ja, thirrje taksive të pajisen me sistem fiskal
Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë tatimpaguesit, të cilët zhvillojnë aktivitet të taksive, se janë të obliguar të pajisen me Sistem Fiskal të veçantë për Taksi.
“Administrata Tatimore e Kosovës tanimë ka certifikuar model të Sistemit Fiskal për sektorë të veçantë TAXI, kështu që personat të cilët zhvillojnë aktivitet të taksive tani mund të pajisen me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK-ja ka kërkuar nga të gjithë tatimpaguesit të cilët ushtrojnë veprimtarinë TAXI, pra ofrojnë shërbime taksi për pasagjerë, që të fiskalizohen sa më parë me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI, ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, si dhe Kërkesat Specifike Teknike dhe Funksionale për Pajisjet Elektronike Fiskale/Sistemet Fiskale (PEF/SF).
“Për t’u fiskalizuar me Sistem Fiskal të veçantë për TAXI është e nevojshme që të kontaktohen operatorët ekonomikë, të cilët kanë të certifikuar modele të Sistemit Fiskal për sektorë të veçantë TAXI”, thuhet në njoftim.
Aktivitetet e ATK-së, ndër të tjera, do të përqendrohen te tatimpaguesit, të cilët:
Kërkohet të fiskalizohen me Sistem Fiskal të veçantë për Taksi, por që ende nuk janë fiskalizuar me këtë Sistemin Fiskal të veçantë; dhe
Janë të pajisur me Sistemin Fiskal të veçantë për Taksi, por nuk lëshojnë kuponë fiskalë.
Listën e operatorëve ekonomikë të cilët janë të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të PEF/SF, si dhe modelet e PEF/SF të certifikuara mund t’i gjeni: KËTU.
“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, ka njoftuar ATK-ja.