Shefi i NATO-s kërkon kosto për Kinën për shkak të mbështetjes së Rusisë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina po i ofronte Rusisë teknologji që po zgjat pushtimin rus të Ukrainës dhe i bëri thirrje Pekinit të përballet me pasojat e kësaj mbështetjeje.

"Pekini nuk mund të ketë të dyja anët. Në një moment - dhe nëse Kina nuk ndryshon kursin - aleatët duhet të imponojnë një kosto. Duhet të ketë pasoja," tha Stoltenberg më 17 qershor në Qendrën Wilson në Uashington.

Stoltenberg tha se në dy vitet e fundit 90 për qind e mikroelektronikës ruse e kishte origjinën në Kinë dhe se ky vend po punon për të përmirësuar aftësitë satelitore ruse.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha gjithashtu se Kina po vazhdon t'i sigurojë Rusisë komponentë për pajisjet ushtarake dhe sistemet e armëve.

Duke folur në një konferencë më 17 qershor, ai tha se mikroelektronika kishte ndihmuar "të forcohej...ajo që do të kishte qenë një bazë industriale e mbrojtjes ruse me të vërtetë e shkatërruar".

Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin ngritur këtë çështje me Kinën.

Rusia gjithashtu ka ndërtuar marrëdhënie me Korenë e Veriut.

Presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, për herë të parë qe 24 vjet.

Një udhëtim i tillë i rrallë do të zhvillohet teksa Moska rrit partneritetin me këtë shtet që ka armë bërthamore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un i pati bërë ftesë Putinit për vizitë, gjatë udhëtimit që ai e ka pasur në Lindje të Largët të Rusisë, në shtator të vitit të kaluar.

Marrëdhëniet e thelluara janë një shqetësim për Shtetet e Bashkuara, tha Kirby.

“Ne e dimë se raketat balistike të Koresë së Veriut po përdoren për të goditur objektivat ukrainase”, tha ai.

Si Pheniani ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat për transferimin e armëve të Koresë së Veriut, të cilat do të ishin në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm tha se lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë "tema më urgjente" për diskutim në samitin e NATO-s që do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik, së bashku me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s.

Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes ka forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, sipas Stoltenberg i cili shtoi se rruga drejt paqes është më shumë armë për Ukrainën.

Shpenzimet e mbrojtjes nga shumë vende evropiane janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 dhe zyrtarët e NATO-s kanë qenë të prirur të theksojnë se anëtarët evropianë tani po ecin përpara.

Megjithëse Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës në samitin e Uashingtonit, Stoltenberg tha se NATO do të "ndërtojë një urë" për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

“Ne po ndihmojmë që forcat e armatosura të Ukrainës të jenë gjithnjë e më shumë të ndërveprueshme me NATO-n, të përmbushin standardet e NATO-s dhe të përmbushin doktrinat e NATO-s”, tha Stoltenberg.

"Ideja është t'i afrojmë ata aq afër anëtarësimit, saqë kur të arrijmë një konsensus, t'i bëjmë ata anëtarë menjëherë". /Rel