Hehir: Deklarata e Hillit, shembulli i fundit i qëndrimeve të tija pro-serbe
Deklarata e ambasadorit Christopher Hill se Serbia mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa njohje de-jure për Kosovën, po vlerësohet e rrezikshme dhe e dëmshme. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Londër, Aidan Hehir, ka thënë se deklarata e Hillit, është shembulli i fundit i qëndrimeve të tija pro-serbe.
Ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi kur pyeten për dialogun, zakonisht i komentojnë vetëm shtetet ku shërbejnë, por me raste Christopher Hill, shkakton reagime edhe në shtetin ku punon bashkëkombasi i tij, ambasadori, Jeffrey Hovenier.
Pas deklaratës së Hillit se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë de-jure Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian, janë aktivizuar gjermanët.
Ambasadori, Jorn Rohde, e ka rishpërndarë një deklaratë të kancelarit Olaf Scholz, i cili para dy viteve gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi, kishte deklaruar se është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.
Në një vijë me të është shprehur edhe ambasadori kosovar në Bruksel, Agron Bajrami. Përmes një cicërime të platformën “X”, Bajrami ka theksuar se pa njohje reciproke nuk mund të ketë normalizim.
Në sytë e vëzhguesve të procesit të dialogut në Kosovë deklaratat e ambasadorëve më shumë janë lojë fjalësh me qëllim dominimin e narracionit tek palët e dialogut.
“Ajo çfarë ka thënë z.Hill dhe ajo çfarë ka thënë ambasadori Rohde nuk janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Dhe çfarë mund të bëjnë ne është që ta pyesim z. Rohde të na sqarojë nëse Serbia mund të pranohet në BE para se ta njohë Kosovën. Dhe nëse nuk e njeh Kosovën para se të futet në BE duhet të tregojë nëse mund të gjejë një mekanizëm që e detyron Serbinë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë politologu, Shkodran Ramadani.
Ramadani këmbëngul se në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimi për Serbinë përmendet normalizimi dhe zbatimit i marrëveshjeve por jo decidivisht njohja de-jure.
Në anën tjetër profesor ndërkombëtar po vlerësojnë se deklarata e Hillit është e dëmshme dhe e rrezikshme dhe se inkuadrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën, do të ishte bashkëveprim me kancerin.
“Deklarata e HIllit, është shembulli i fundit i qëndrimeve të tija pro-serbe. në gusht 2023 ai mori pjesë në një fushatë për marrëdhënie me publikun të qeverisë serbe, ku me entuziazëm pohoi se Serbia po shkon drejt perëndimit. Në mars të këtij viti, ai tha se Serbia është më afër NATO-se se Kosova. Hilli, është shembulli më i ashpër i politikës së përkëdheljes që shumë diplomatë perëndimor e aplikojnë me Serbinë. kjo politikë, ka dështuar të zbusë Serbinë. që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive në vitin 2012, është rritur autoritarizmi, ulur liria e mediave dhe rritja e lidhjeve mes qeverisë e grupeve kriminale”, ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir.
Hehir këmbëngul se qasja dhe qëndrimet që po i ndjekë Hilli në raport me Serbinë janë të dështuara, sepse rruga e duhur është ajo që po e përkrahë ambasadori Rohde, pra njohja reciproke e më pastaj familja evropiane.
Gjatë javës ambasadori Hovenier, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
Më 22 prill Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën përfshirë zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit. /dukagjini