SHBA-ja sanksionon grupin ekstremist izraelit për bllokimin e ndihmës në Gazë
Qeveria amerikane vendosi sot sanksione ndaj grupit radikal izraelit “Tzav 9” për shënjestrimin e ndihmave të dërguara për civilët palestinezë në Rripin e Gazës.
“Për muaj të tërë, individë nga “Tzav 9” kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë, duke përfshirë bllokimin e rrugëve, ndonjëherë me dhunë, përgjatë rrugës së tyre nga Jordania në Gazë, duke përfshirë Bregun Perëndimor”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë.
“Ata gjithashtu kanë dëmtuar kamionë me ndihma dhe kanë hedhur ndihma humanitare në rrugë”, sipas DASH.
Zëdhënësi i Departamentit, Matthew Miller përmendi një incident më 13 maj, kur anëtarët e “Tzav 9” plaçkitën dhe u vunë zjarrin dy kamionëve pranë Hebronit në Bregun Perëndimor që transportonin ndihma në Gazë.
“Sigurimi i ndihmës humanitare është thelbësor për të reduktuar rrezikun e urisë në Rripin e Gazës”, theksoi Miller.
“Qeveria e Izraelit ka përgjegjësinë të garantojë sigurinë e autokolonave humanitare që kalojnë tranzit nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor drejt Gazës”, tha ai.
“Ne nuk do të tolerojmë aktet e sabotimit dhe dhunës që synojnë ndihmën thelbësore humanitare”, theksoi Miller.
Qytetarët amerikanë ose njerëzit që ndodhen në SHBA u ndalohet të bëjnë biznes me kompanitë dhe individët e sanksionuar. /oranews