Nesër varroset nënoficeri i FSK-së, Muhamet Beqiri

Nga një sulm kardiak, ka vdekur në vendin e tij të punës nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreshter i parë Muhamet Ramiz Beqiri.

I ndjeri ka vdekur ditën e së enjtes dhe pritet që nesër të varroset në fshatin Talinoc i Muhaxherëve të Ferizajt.

Kështu është bërë e ditur nga një njoftim i FSK-së.

Njoftimi i plotë:

Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se nga një sulm kardiak ka vdekur në vendin e tij të punës nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreshter i parë Muhamet Ramiz Beqiri.

Homazhet nga njësitë e FSK-së do të mbahen në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, sot 14.06.2024 në orën 14:00-15:00, ndërsa ceremonia e varrimi do të bëhet nesër (e shtunë) më datë 15.06.2024 në orën 13:00, në varrezat e fshatit Talinoc i Muhaxherve komuna Ferizaj.

Muhamet Beqiri ka lindur në Talinoc të Muhaxherëve komuna Ferizaj.

Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, Zona Operative e Nerodimes, pas transformimit të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës ka shërbyer në Batalionin e Xhenios, ndërsa që nga themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shërbyer në Kompaninë e Deminimit. Vdekja e ndau në pozitën e nënoficerit të lartë, Udhëheqës i Instruktorëve në sektorin e Auto shkollës, pranë Qendrës së Stërvitjes Profesionale në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Pas vetës la bashkëshorten dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.