ASK: Pagesat për mbikëqyrësit dhe regjistruesit fillojnë javën e ardhshme

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se për mbikëqyrësit dhe regjistruesit pagesat për periudhën e angazhimit të tyre për punën në terren do të fillojnë javën e ardhshme.

ASK-ja thotë se bazuar në procedurat e zakonshme dhe angazhimin maksimal të stafit të ASK-së për pagesat e shumta dhe të ndryshme për mbikëqyrës e regjistrues, pagesat do të fillojnë të bëhen nga data 17 qershor 2024 dhe para fundit të muajit qershor do të procedohen për pagesë për të gjithë të angazhuarit.

“Meqenëse është një numër i madh i mbikëqyrësve dhe regjistruesve, pagesat mund të mos procedohen në të njëjtën kohë për të gjithë. Për çdo lëshim teknik që mund të ndodhë, ju mund të parashtroni ankesë te Departamenti i Administratës së ASK-së”.

“Edhe një herë, ASK-ja falënderon të gjithë mbikëqyrësit dhe regjistruesit për punën e shkëlqyer dhe angazhimin e tyre maksimal në procesin e regjistrimit të popullsisë (ReKos 2024)”, thuhet në njoftimin e ASK-së. /Zëri