Policia kërkon bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e dy të dyshuarve për vjedhje

Policia e Kosovës ka publikuar fotografi të dy personave, të cilët dyshohen për vjedhje grabitqare, që kishte ndodhur më 5 shkurt të këtij viti në Prishtinë.

Përmes publikimit të fotografive nga kamerat e sigurisë, Policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, transmeton Zeri.info.

“Njësiti i Hetimeve të stacionit policor ‘Qendra’ në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi”.

“Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast ‘Vjedhje grabitqare’, që ka ndodhur më datën 05.02.2024, në Prishtinë.

Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave ose vendndodhjes së tyre, kontaktoni Policinë në numrin e telefonit 192”, thuhet në kërkesën e Policisë. /Zëri