Musk thotë se aksionarët e “Tesla”-s po votojnë pro paketës 56 miliardë dollarëshe, a po zhvendoset kompania?
Aksionerët e Tesla-s po votojnë për të miratuar një paketë pagese prej 56 miliardë dollarëshe për Elon Muskun dhe për të zhvendosur shtëpinë ligjore të prodhuesit të automjeteve elektrike në Teksas, ka njoftuar CEO i saj.
“Faleminderit për mbështetjen”, tha Musk.
Bëhet e ditur se miratimi i aksionerëve mund të zbusë shqetësimet e investitorëve për të ardhmen e Muskut në kompani, ndërsa i jep prodhuesit të makinave elektrike “municion” në luftën e tij për të ndaluar një vendim gjykate për anulimin e paketës së pagave.
Siç raportohet, rezultati do të shpallet në një takim në selinë e Tesla-s në Teksas, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Por, thuhet se një kombinim i votave të investitorëve të mëdhenj institucionalë dhe votave të investitorëve me pakicë mori rezultatin "po".
Aksionarët e Tesla-s hodhën vota edhe për propozime të tjera, duke përfshirë lëvizjen e selisë së saj ligjore nga Delaware në Teksas, si dhe rizgjedhjen e dy anëtarëve të bordit: vëllait të Musk, Kimbal Musk dhe James Murdoch.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott e uroi Musk, duke thënë: “Mirë se erdhe në një shtet që nuk ka as tatim mbi të ardhurat personale dhe as të kompanive”.
Disa investitorë e panë votimin për pagën e Muskut si një provë besimi në udhëheqjen e tij.
Ndërsa ai është padyshim forca shtytëse e Tesla-s dhe i atribuohet shumë suksesit të saj, kompania kohët e fundit ka parë ngadalësim të shitjeve dhe fitimeve.
Aksionet e "Tesla"-s kanë humbur gati 60% të vlerës nga viti 2021, kur Musk filloi të shesë miliarda dollarë të aksioneve të tij pjesërisht për të ndihmuar në financimin e blerjes së Twitter-it.
Ai tani drejton gjashtë kompani, duke përfshirë ndërtuesin e raketave SpaceX, gjigantin e mediave sociale X – dikur Twitter – dhe kompaninë e inteligjencës artificiale xAI, të cilën Musk e krijoi në vitin 2023.
Ndryshe, Musk ka kërcënuar se do të ndërtojë produkte AI dhe robotike jashtë "Tesla"-s, nëse nuk arrin të fitojë vota të mjaftueshme.