Ish-kryeministri Kosumi s’u ftua për 25-vjetorin e çlirimit: Qeveri me kujtesë selektive
Që nga koha kur kishte përfunduar mandatin e kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi ka marrë pjesë në ngjarjet e organizuara nga shteti për shënimin e përvjetorit të pavarësisë ose çlirimit të vendit.
Por aktivitetet që u shënuan për 25-vjetorin e çlirimit të vendit të mërkurën ish-kryeministri i përcolli nga shtëpia e tij, përmes televizorit.
Kjo pasi, siç bëri të ditur Kosumi në Tëvë 1, ai nuk u ftua nga Qeveria aktuale.
Ai tha se edhe pse kjo qeveri po thirret në kujtesën e së kaluarës, sipas tij, po i mban mend vetëm ato që po dëshiron.
“Unë kam marrë pjesë përpara dhe kam qenë i ftuar, Qeveria aktuale, organizatorët aktualë, ani pse po thirren në kujtesë, se nuk harrojmë, por në fakt kujtesën e kanë selektive. Nuk i harron ato çfarë s’duan t’i harrojnë, por një pjesë po. Unë kam marrë pjesë në gjitha parakalimet për nder të pavarësisë, për nder të çlirimit , por sot e pash prej shtëpie”, ka thënë ish-kryeministri.
Ai duke folur për Kosovën 25 vjet pas çlirimit, vlerëson se Kosova ka qenë nën zero dhe është arritur shumë, ndonëse thotë se në disa fusha ka ngecje. E pamjet e një shteti të shkatërruar ai i kujton edhe më 12 qershor të vitit 1999.
Kosumi ka thënë se pas fillimit të hyrjes së trupave të NATO-s, ai së bashku me një delegacion që ishin në Tiranë për ta funksionalizuar qeverinë e përkohshme të Kosovës, kërkuan nga autoritet e Shqipërisë t’u mundësonin kthimin e menjëhershëm në Kosovë.
Ai thotë se bashkë me delegacionin kosovar panë forcat e NATO-s duke hyrë në Kosovë, e që për ta ato emocione ishin të papërmbajtshme.
“Bashkë me ne hynin forcat e NATO-s, makineria e NATO-s, helikopterët i zbrazin tanket i vendosnin në territorin e Kosovës, njëfarë mënyrë s’kishte kufij, kishte rënë Jugosllavia. Pamja e parë e një shteti të rrënuar dhe njëkohësisht ishte gëzimi ynë i parë i madh që po preknim me këmbë në shtetin e rrënuar Jugosllavë. Një emocion dhe një gëzim i pa përmbajtshëm”, tha ai.
Kosova të mërkurën shënoi 25-vjetorin e çlirimit nga Serbia, e cila erdhi nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s ndaj Serbisë.