Dy dekada e gjysmë pas çlirimit, sa është Kosova larg NATO-s?
Dy dekada e gjysmë pas çlirimit dhe gjysmë dekade pas formimit të Ushtrisë, Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s, si disa nga fqinjët e saj.
Javë më parë në Sofje të Bullgarisë Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Por, sa është vendi larg anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike?
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kadri Kastrati, konsideron se Kosova është e gatshme për t’u anëtarësuar në NATO.
Sipas Kastratit, edhe Ushtria e Kosovës i ka kapacitetet për një rrugë të tillë.
Kastrati: Kosova, e gatshme për anëtarësim në NATO
“Kosova është e gatshme që të hyjë i ka përmbushur si shtet nevojat edhe ushtria i ka kapacitetet që të jetë anëtare”, ka thënë Kastrati për FrontOnline.
Megjithatë, sipas tij, pa njohjen e katër shteteve anëtare të NATO-s Kosova nuk mund të jetë pjesë, thotë Kastrati për “Front Online”.
“Anëtarësimi në NATO është çështje politike sepse katër shtetet e NATO-s që nuk na kanë njohur si: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja duhet të na njohin dhe të votojnë të gjitha shtetet anëtare të Parlamentit të NATO-s për të qenë Kosova pjesë”, ka pohuar Kastrati.
Përndryshe, në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës në sheshet e Prishtinës dje është bërë parakalimi i 1500 pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.
Fillimisht u mbajt një ceremoni me fjalime nga liderët e shtetit dhe më pas urdhri për parakalim u dha nga presidentja Vjosa Osmani.
Në këtë parakalim ishin të pranishëm krerët e shtetit të Kosovës, deputet e ministria, si dhe personalitete të ftuar, si edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Haliti: Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë hap për anëtarësimin në NATO
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili është edhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, ka kritikuar Qeverinë për mosmarrjen e ndonjë hapi konkret për rrugën drejt NATO-s.
Haliti thotë se Qeveria aktuale asnjë hap s’ka bërë për t’u bërë Kosova pjesë e NATO-s.
“Qeveria nuk është duke punuar asgjë për këtë hap. Parlamentit i kemi dhënë një përfaqësim në Asamblenë e NATO-s të vlerësuar, por duhet punë shumë për anëtarësim”, shprehet Haliti për FrontOnline.
Sipas tij, angazhimi duhet të orientohet fillimisht për anëtarësimin në OKB.
Haliti thotë se nëse ka interes NATO-ja, mund të përshpejtohen procedurat për anëtarësimin e vendit.
“Angazhimi politik duhet të jetë për anëtarësimin në OKB, duke qenë aty disa institucione ndërkombëtare e kanë si kusht që të jetë anëtar në OKB. Në qoftë se ka interes NATO-ja që ta pranoj Kosovën mund ta përshpejtojë pranimin”.
Mbështetja për anëtarësim nevojitet nga shtetet anëtare në NATO, thotë Haliti.
“Në kushtet e sotme nuk besoj që nuk ka asnjë vend që ka simpati më shumë për NATO-n sesa Kosova. Duhet të kemi mbështetjen e të gjitha shteteve që janë anëtare të NATO-s”.