Mavraj: Fryma studentore krijoi frymën e UÇK-së

Profesori dhe analisti, Muhamet Mavraj, ka folur për 25 vjetorin e çlirimit dhe zhvillimet politike në vend. Duke uruar këtë jubile të çlirimit të Kosovës ka uruar mbarë kombit shqiptar, familjeve të dëshmorëve të gjithë ushtarëve të lirisë, dhe siç tha ai për strategët e kësaj lufte ata të cilët janë në Hagë padrejtësisht.

Duke folur për nismën studentore për t'i thënë stop gjenocidit të regjimit të Millosheviqit, Mavraj tha se 1 tetori i vitit 1997 nuk ishte nismë për ndaljen e gjenocidit në Kosovës, sepse sipas tij, atëherë nuk ishte ushtruar ende gjenocid.

“Mirëpo, kjo datë i jep fund politikës së ndejës dhe pa aksion. Nëpërmjet kësaj u krijua fryma e cila i krijon terren të përshtatshëm frymës çlirimtare. Pa dashur ta kushtëzoj, por në një formë pa frymën studentore nuk do të kishte edhe frymë të UÇK-së dhe pa UÇK-në nuk do të kishte intervenim të NATO-s e rrjedhimisht as çlirim të Kosovës”, tha Mavraj.

Prandaj, siç tha ai, sot është ditë kur do të duhej t’i përkujtojmë studentët dëshmorë e studentët luftëtarë.

“Sot është jubile i madh 25 vjetori i çlirimit dhe si i tillë do të duhej të ishte një jubile shumë më festiv, më i fuqishëm me miqtë e Kosovës këtu, me miqtë që na kanë ndihmuar në atë kohë të çlirohemi, por edhe me përfaqësuesit e shteteve të tyre përfshirë edhe presidentin e SHBA-së, i cili sot e ka pasur ditën që të jetë këtu”, tha Mavraj duke shtuar se ai do të vinte me dëshirë në Kosovë.

“Presidenti i SHBA-së do të vinte në Kosovë në rrethana të tjera për ta festuar këtë jubile dhe besoj që do të vinte me dëshirë sepse është një nga protagonistët e gjallë që ka bërë shumë, shumë për çlirimin e Kosovës. Por, jemi ku jemi, e jemi siç jemi. Disa nga zyrtarët e asaj kohe na uruan me mesazhe nga distanca, por jo siç do të mund ta kishim këtë jubile ”, tha Mavraj në RTK.