Institucionet policore të Gjermanisë dhe Kosovës shkëmbejnë përvoja
Dy zyrtarë policorë nga Universiteti Policor Brandenburg në Gjermani nga data 03-14 qershor 2024, janë në implementim të një “Programi Intershipi” me Policinë e Kosovës, i cili mundëson shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira profesionale policore ndërmjet dy institucioneve.
Policia njofton se ky implementim bazohet në deklarimin e përbashkët për bashkëpunim të realizuar gjatë vizitës në fund të vitit 2023 nga Policia e Kosovës në Universitetin Policor të Brandenburgut në Gjermani.
Sipas njoftimit, zyrtarët e përfshirë në programin e intershipit kanë kaluar në shumë fusha të detyrave policore, ku janë përfshirë të gjitha departamentet policore si dhe institucione e partnerë të tjerë të sigurisë dhe drejtësisë, gjithmonë duke promovuar dhe duke treguar nivel të lartë të profesionalizmit dhe integritetit nga një vend siç është Republika e Kosovës.
“Ky program është vlerësuar lart dhe konsiderohet si bazament i thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve si dhe mundësisë për avancim dhe zhvillim profesional, ku si parim bazë është shërbimi sa më cilësor ndaj qytetarit”, thuhet në njoftim.