Kurti Begajt: Faleminderit që ishe pjesë e festimit të 25-vjetorit të çlirimit dhe për mbështetjen pa kushte

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Teksa uruan njëri-tjetrin, kryeministri Kurti falënderoi presidentin Begaj për ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës para, gjatë e pas çlirimit.

“Mirënjohje ndaj Shqipërisë shprehu edhe për përkrahjen në rrafshin ndërkombëtar, votën dhe avokimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rolin e përfaqësuesve të Shqipërisë në takime e organizata të rëndësishme në të cilat Kosova ende nuk është anëtare. Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria ishte, është e do jetë gjithmonë përkrah Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, shkruan Zeri.info.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Kurti e Begaj bashkëbiseduan për arritjet e përbashkëta, sikurse bursa ALPEX tash së fundmi, dhe sfidat e projektet e radhës që na përbashkojnë edhe më shumë. U veçua projekti i Hekurudhës Prishtinë-Durrës, për të cilin kryeministri Kurti tha se është projekti më i rëndësishëm i dekadës. Ndërkohë, bashkëpunimi ndërshtetëror po thellohet me zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare. Sot u bë inaugurimi i korsive të veçanta për kalimin kufitar dhe hapjen e 20 vendkalimeve të veçanta për banorët e brezit kufitar, duke e bërë kufirin mes nesh çdo ditë e më të pavërejtshëm.

U bisedua për shtimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit, po edhe në fushën e mbrojtjes. /Zëri