Hovenier: Jemi krenarë që bashkë me aleatët i dhamë fund regjimit të Millosheviqit

Më 12 qershor, Kosova festoi 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, një datë historike që përkujton hyrjen e forcave paqeruajtëse të NATO-s në territorin e saj.

Kjo ngjarje erdhi pas një fushate ajrore intensive të organizuar nga aleanca veriatlantike kundër objektivave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë dhe Serbi, e cila pati si qëllim ndalimin e dhunës dhe të politikave represive të regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, sot ishte i pranishëm në aktivitetet përkujtimore dhe u bashkua me zyrtarë kosovarë dhe të ftuar të tjerë të nderuar për të kujtuar këtë moment tranzicioni që parapriu një epokë të re për popullin e Kosovës.

Përmes një shkrimi në platformën “X”, ambasadori theksoi rolin që luajtën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në ndalimin e spastrimit etnik dhe në mbështetjen e ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.

“Sot, kujtojmë me respekt dhe nderim hyrjen e forcave të NATO-s dhe falënderojmë aleatët për guximin dhe përkushtimin e tyre”.

“Shtetet e Bashkuara janë të krenare për kontributin e tyre në këtë përpjekje dhe do të vazhdojnë të mbështesin aspiratat e njerëzve të Kosovës për një shtet sovran, të pavarur, multietnik dhe demokratik”, u shpreh Hovenier.

Të mërkurën u bënë 25 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Aktivitetet e ditës së sotme u karakterizuan nga homazhet dhe ceremonitë që vlerësojnë sakrificat dhe luftën për liri dhe të drejtat e njeriut.

Kjo ditë mbetet një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe triumfit ndaj represionit, duke prekur zemrat e shumë qytetarëve që me krenari kujtojnë rrugëtimin e tyre drejt lirisë.