Rusët sulmojnë me raketa vendlindjen e Zelenskyt, të paktën gjashtë të vdekur

Të paktën gjashtë persona u vranë dhe 11 u plagosën në një sulm me raketa ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Kryvyi Rih.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se rusët kanë bombarduar vendlindjen e tij.

“Çdo ditë dhe çdo orë, terrori rus dëshmon se Ukraina, së bashku me partnerët e saj, duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore”, njoftoi ai në rrjetet sociale.

Ai publikoi një video që tregon zjarrfikësit duke luftuar me flakët dhe shpëtimtarët duke hequr një bllok betoni nga rrënojat.

Një burrë u transportua me barelë drejt spitalit më të afërm të qytetit.

Një ndërtesë administrative dhe një bllok banimi janë dëmtuar, njoftoi Komanda Ushtarake Jugore e Ukrainës.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.