Kurti në seancën solemne: BE-ja familja jonë e synuar politike, NATO-ja destinacioni ynë ushtarak
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shënimi i ditës së çlirimit e ka sjellë të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen e vendit.
Në seancën solemne të Kuvendit, kreu i ekzekutivi theksoi se 25 vjet pas çlirimit, duan marrëdhënie të mirë me fqinjët, me njohje e pa sulme.
“Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si sot në Kuvend e sheshet e qyteteve, për të shënuar një ngjarje historike që e ka sjellë të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen. Sikur atëherë, edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë. Kosova ka shkuar në vazhdimësi duke forcuar aleancat e saj me vendet partnere. BE-ja është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ynë ushtarak. Pikërisht se kemi vuajtur dhe kemi humbur, tash duam që Kosova e të gjithë qytetarëve ta gëzojnë, shumica shqiptare me pakicat. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, e njohje, pa sulme. Kurrë më të lirë e të pavarur nuk kemi qenë”, tha ai.