Osmani: Evropa lindi në një Kosovë të lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 25 vjet më parë, kur ushtarët e NATO-s shkelën Kosovën, ata ishin shpëtimtarë të popullit të Kosovës.
Në seancën solemne të legjislativit, për nder të 25-vjetorit të çlirimit, Osmani tha se hyrja e NATO-s ishte një fuqi e solidaritetit ndërkombëtar.
“Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më. Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë. Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman ‘Evropa lindi në një Prishtinë të lirë’. Sot mund të themi, Evropa lindi në një Kosovë të lirë”, theksoi Osmani.
Shefja e shtetit theksoi se në këtë ditë do ta kujtojnë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur.
“Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë. Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, u shpreh presidentja Osmani. /EO