Shkaktoi dy kundërvajtje në komunikacion brenda një dite, gjobitet ferizajasi
Një shofer 24 vjeç është gjobitur nga policia mbrëmë, pasi ka shkaktuar dy kundërvajtje brenda një dite.
Policia ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 04:49 në rrugën magjistrale Prishtinë - Ferizaj, saktësisht në fshatin Prelez i Jerëlive, ka ndaluar shoferin me inicialet H.R., i moshës 24-vjeçar, i cili me veturë ka tejkaluar shpejtësinë, ku në zonën e kufizimit 60 km/h ka zhvilluar shpejtësi 145 km/h, ndërsa gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe testimit me alkooltest ka rezultuar që kishte konsumuar edhe alkool 0.36 promilë.
Ndaj tij policia ka shqiptuar një gjobë për kundërvajtje, me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentës së shoferit për tre muaj dhe është përjashtuar nga komunikacioni.
Mirëpo, disa minuta më vonë shoferi i njëjtë H.R. në fshatin Prelez i Muhaxherëve është ndaluar me shpejtësi 140 km/h, tani nën masën mbrojtëse, heqja e patentës së shoferit dhe ndaj tij policët i kanë shqiptuar gjobën e dytë me dënim 500 euro, 5 pikë negative dhe 6 muaj heqje të patentës së shoferit dhe i është konfiskuar vetura.
Derisa Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar te shoferët e automjeteve të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit, të mos bëjnë tejkalime të shpejtësisë dhe të mos drejtojnë veturat nën masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri