Shtroi darkë për Wallkerin, Robertsonin, Begajn dhe Mesiqin, Kurti: E kanë ndihmuar Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar një darkë për miqtë e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kroacia dhe Shqipëria, që po qëndrojnë në vendin tonë në shënimin e 25 vjetorit të çlirimit.

Kurti, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se disa nga aleatët e ngushtë të shtetit tonë mbi 25 vjet kanë ndihmuar Kosovën.

“Një darkë me miqtë nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Kroacia – disa nga aleatët tanë më të ngushtë. Për mbi 25 vjet, në cilësinë e ambasadorëve, krerëve të shtetit, ministrave të punëve të jashtme dhe më e rëndësishmja, si individë të përkushtuar për të avokuar kundër padrejtësisë dhe për liri, kanë ndihmuar Kosovën”, ka shkruar Kurti.

Ai më tej ka shkruar se “është e panevojshme të thuhet se këto lidhje vetëm sa janë forcuar me kalimin e kohës dhe ato gëzojnë mirënjohjen tonë më të thellë”.

Në fotografinë e postuar nga Kurti, shihet se në darkë ishin miku i madh i shqiptarëve ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq.