Gjykata e Tiranës e liron shtetasin rus dhe refuzon kërkesën e Moskës për ekstradim

Gjykata e Tiranës vendosi të martën ta lirojë nga paraburgimi një shtetasi rus të arrestuar në fund të muajit të kaluar në Shqipëri, duke e hedhur poshtë kërkesën e Moskës për ekstradimin e tij.

Në një njoftim, gjykata në kryeqytetin shqiptar tha se vendimin e mori pasi Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë “bëri verifikimeve përkatëse dhe iu përgjigj kërkesës së gjykatës se refuzon ekstradimin” e 56-vjeçarit Aleksander Bobovnikov.

As gjykata, e as Ministria nuk dhanë hollësi rreth vendimit për lirim e tij.

Në fund të majit, policia shqiptare tha se shtetasi rus Bobovnikov u arrestua në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, bazuar në shkëmbimin e të dhënave ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Moska, dhe se ai kërkohej nga autoritetet ruse për “mashtrim”.

Policia shqiptare nuk tregoi kur ishte arrestuar saktësisht Bobovnikov, i cili është banor i Izraelit sipas saj, por ai doli para gjykatës në Tiranë më 30 maj, e cila mor vendim për paraburgosjen e tij për 15 ditë.

Avokati i Bobovnikov, Boris Hoffman, tha më 30 maj se klienti i tij kishte udhëtuar ditë më parë nga Gjermania në kryeqytetin shqiptar së bashku me një grup miqsh.

Hoffman i konsideroi akuzat e autoriteteve ruse si “politike dhe të pabazuara”, dhe se ato lidhen “me faktin se ai e ka kundërshtuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës”.

Ai nuk përmendi ndonjë dëshmi se akuzat ndaj tij kanë të bëjnë me kundërshtimin e pushtimit rus të Ukrainës.

Një avokat tjetër mbrojtës, Ardian Visha, tha për mediat më 30 maj se Gjykata e Tiranës i kishte kërkuar Ministrisë se Drejtësisë së Shqipërisë të shprehej nëse çështja kishte natyre politike. /Rel