Bundeswheri kujton 11 qershorin e vitit 1999: Synim afatgjatë, t’ia dorëzojmë Kosovës përgjegjësinë për sigurinë
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë (Bundeswehr), i ka falënderuar ushtarët gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë gjatë këtyre 25 vjetëve në kuadër të misionit të KFOR-it.
Nëpërmjet një shkrimi të Bundeswehrit, bëhet e ditur se ushtria e Gjermanisë është e pranishme nga 12 qershori i vitit 1999.
Në shkrim thuhet se edhe pas 25 vjet pas përfundimit të luftës, situata siç e ka theksuar KFOR-i vazhdimisht, mbetet fragjile.
“Para agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, ushtria gjermane, thuhet në këtë shkrim, është përballur me një pikë kthese të ngjashme. Në fund të viteve 90-ta, lufta në Kosovë u përkeqësua”, thuhet në shkrimin e kësaj ministrie.
Pasi të gjitha përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore kishin dështuar për shkak të rezistencës nga Jugosllavia dhe Rusia, dëbimet, masakrat dhe mizoritë më në fund duhej të ndaleshin.
Më 24 mars 1999, NATO-ja filloi sulmet ajrore me misionin e Forcave Aleate për të detyruar regjimin e Millosheviqit të dorëzohej.
Aty, përmenden edhe tensionet e vitit 2023.
Në këtë artikull theksohet se prezenca e një ushtrie ndërkombëtare efektive është ende e nevojshme.
“Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë gjithashtu mirëpresin vazhdimin e Forcës së KFOR-it të Kosovës, prandaj Bundeswehri do të vazhdojë misionin e tij”, thuhet tutje.
Tutje, shkruan se qëllimi afatgjatë mbetet që përgjegjësia për sigurinë t’u dorëzohet institucioneve të sigurisë kosovare.
“Me ndihmën e Bundeswehrit, kjo mund të arrihet”, thuhet në fund të këtij artikulli.