Hilli për “kuvendin gjithëserb”: E ardhmja paqësore e Ballkanit të mbetet në fokusin e të gjithëve
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha për Radion Evropa e Lirë të martën se Serbia ka rol për të luajtur për një të ardhme paqësore në Ballkanin Perëndimor, pas një deklarate të përbashkët mes liderëve të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës – Republika Sërpska (RS).
“Të gjithë të cilëve iu intereson për Serbinë dhe të ardhmen e saj, duhet të përqendrohen në krijimin e një të ardhme paqësore dhe të begatë për tërë Ballkanin Perëndimor, duke e rritur bashkëpunimin rajonal, me integrimin në BE si synimin përfundimtar”, tha Christopher Hill për REL-in.
Një i ashtuquajtur “kuvend gjithëserb” u mblodh të shtunën në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të Republikës Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend - Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.
Të hënën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se deklarata e përbashkët mes Serbisë dhe Republika Sërpska buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime.
Në një postim në rrjetin social X, Ambasada amerikane tha se “deklarata nuk përbën mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, siç pretendojnë autorët, por është sulm i qëllimshëm ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës. Kjo është e rrezikshme”.
Në deklaratën e tyre të përbashkët është përmendur edhe Kosova.
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që “kuvendi gjithëserb” mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.