Aplikimi i Kosovës në KiE, Gërvalla: Çdo hap është brenda kornizave kohore, letra ishte ofertë për draft autentik
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka diskutuar në detaje përpjekjet dhe strategjinë e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas ministres Gërvalla, Kosova ka pasur një plan të qartë dhe të detajuar që nga aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Në planin fillestar që kemi bërë kur kemi aplikuar për Këshillin e Evropës, plani ynë domethënë e kemi konsideruar të realizuar planin nëse gjatë vitit të parë arrijmë ta çojmë kërkesën nga Këshilli Ministror në Asamblenë Parlamentare”, tha ajo, duke shtuar se ky objektiv u realizua kur kërkesa e Kosovës kaloi nga Këshilli Ministror në Asamblenë Parlamentare në prill të vitit 2023.
Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte përkrahja brenda Asamblesë Parlamentare.
Ministrja theksoi se “në vitin e dytë objektivi ynë ka qenë që të krijojmë përkrahje të madhe për kërkesën tonë brenda Asamblesë Parlamentare, gjë që është përmbyllur në këtë vit, në prill të këtij viti me një sukses të jashtëzakonshëm me 82 për qind të votave në favor të anëtarësimit të Kosovës”.
Gërvalla u shpreh se do të kishte qenë ideale po që se Kosova do të anëtarësohej në Këshill të Evropës pikërisht në 25 vjetorin e çlirimit.
“Nuk dua ta mohoj që kjo do të kishte qenë fantastike komplet”, shtoi ajo, duke theksuar se çdo hap i marrë deri më tani është brenda kornizave kohore të planifikuara.
Gjatë intervistës për Telegrafin, ministrja u është përgjigjur edhe kritikave lidhur me dërgimin e draftit të FES-it në Këshill të Evropës, dy ditë para takimit të Këshillit të Ministrave të KiE-së.
Ajo tha se asnjëherë nuk kanë ofruar që draftin e FES-it ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.
“Asnjëherë ne nuk kemi ofruar që draftin e FES-it ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha ajo, duke sqaruar se letra e saj përmbante një ofertë për të hartuar një draft autentik nga Republika e Kosovës, bazuar në disa prej parimeve të përmendura në draftin e FES-it.
“Unë asnjëherë nuk dërgoj letrat mija personale, sepse letrat personale unë i dërgoj miqve të mi. Unë e nis si ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave të parapara me ligj, unë kam dërguar një ofertë për t’ua lehtësuar disa prej partnerëve tanë, të cilët kanë simpatizuar goxha me një ide të tillë”, tha Gërvalla.
Gërvalla nënvizoi se përpjekjet e Kosovës për anëtarësim nuk kanë qenë të lehta dhe kanë kërkuar angazhime të shumta diplomatike.
“Ne nuk kemi ndenjur duarkryq po jemi përpjekur të hapim dyer të ndryshme dhe të hapim shtigje të ndryshme”, deklaroi ajo.
Ajo gjithashtu përmendi ofertat e bëra nga Kryeministri Kurti gjatë vizitës së tij në Berlin dhe letrat dërguar liderëve evropianë si Scholz, Macron dhe Meloni.
Gërvalla theksoi se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është një sfidë komplekse dhe e gjatë, por se Kosova është e përkushtuar për të vazhduar në këtë rrugë.
“Ne si shtet i përgjegjshëm jemi të detyruar nëse partnerët tanë vazhdimisht përsërisin kërkesa të ngjashme, atëherë ne nuk mund të rrimë të presim Serbinë. Ne duhet të gjejmë një rrugë se si mund të lëvizim, as për të cenuar interesat e vendit tonë, dhe as për të injoruar tërësisht kërkesat e bashku”, përfundoi ajo.