Maqedonci: Do të vazhdojmë traditën e bashkëpunimit me Turqinë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot e ka pritur në takim gjeneralmajor Subutay Adaë, shef i operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Maqedonci, me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kanë biseduar për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Gjersa jemi në vigjilje të njëzet e pesë vjetorit të çlirimit të Kosovës, falënderova Gjeneral Adaë që na nderoi duke pranuar ftesën për të qenë i pranishëm në aktivitetet e organizuara për të shënuar këtë ditë, ndërsa me theks të veçantë shpreha mirënjohje për mbështetjen që Turqia i ka ofruar Kosovës në këto vite të shtetndërtimit, veçanërisht për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi në fushën e mbrojtjes”.

“Do të vazhdojmë këtë traditë bashkëpunimi në përmbushjen e synimeve dhe interesave të përbashkëta”, ka thënë Maqedonci.