Nënshkruhet marrëveshja për objektin e Poliklinikës Specialistike në Podujevë
Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës Elvir Azizi nënshkruan sot marrëveshjen për shfrytëzimin afatgjatë të objektit, që është i dedikuar për Poliklinikë Specialistike.
Sipas njoftimit, ky objekt, që është pronë e Komunës së Podujevës, në bazë të kësaj kontrate i jepet SHSKUK-së në shfrytëzim afatgjatë pa pagesë. Ndërkohë, SHSKUK-ja do të bëjë rekrutimin e stafit të mesëm dhe blerjen e disa pajisjeve të nevojshme, për të cilat tashmë i kanë nisur procedurat e prokurimit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes-kontratës, kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur që qytetarëve të Podujevës shumë shpejt do t’u ofrohen shërbime specialistike në komunën e tyre, për të cilat deri tash janë detyruar të udhëtojnë në Prishtinë.
Ndërkaq të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri për Shëndetësi Arben Vitia dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Podujevës, Adelina Stublla. /Zëri