Sveçla kujton Arbënor Deharin: Ishte model i aktivistit modest e të vendosur, motiv për të gjithë ne

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në shënimin e 10-të vjetorit të vdekjes së aktivistit Arbënor Dehari e ka kujtuar si një model i aktivistit që ka qenë motiv për të gjithë.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ministri Sveçla ka shtuar se Arbënor Dehari do të jetë gjithmonë udhërrëfyes në përpjekje për forcimin e shtetit.

“Arbënorin do ta kujtojmë gjithmonë për guximin, dijen e vullnetin e tij, për angazhimin pa kursim për barazi, drejtësi e mirëqenie për të gjithë”, tha Sveçla.

Postimi i plotë:

10 vjet pa shokun dhe aktivistin shembullor, Arbënor Dehari.

Në historikun 19-vjeçar të Lëvizjes sonë qëndron angazhimi i pashoq i Arbënorit, aktivistit të pandalshëm në çdo organizim të saj. Ai ishte modeli i aktivistit modest e të vendosur, i cili ishte motiv për të gjithë ne, për shoqet e shokët e tij.

Arbënorin do ta kujtojmë gjithmonë për guximin, dijen e vullnetin e tij, për angazhimin pa kursim për barazi, drejtësi e mirëqenie për të gjithë.

Arbënor Dehari do të jetë përjetësisht udhërrëfyes në punën tonë të përditshme, në përpjekjet tona për qytetarët tanë e për ngritjen dhe forcimin e shtetit tonë.