Elon Musk kërcënon të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij për shkak të partneritetit me OpenAI
Miliarderi i teknologjisë Elon Musk u zotua të hënën të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij, pasi prodhuesi i iPhone njoftoi një partneritet me OpenAI, krijuesin e ChatGPT.
“Nëse Apple integron OpenAI në nivelin OS, atëherë pajisjet Apple do të ndalohen në kompanitë e mia. Kjo është një shkelje e papranueshme e sigurisë”, ka thënë Musk, pronari i platformës së mediave sociale X.
“Dhe vizitorëve do tu kontrollohen pajisjet e tyre Apple në derë, ku do të ruhen në një ‘kafaz’”, shtoi Musk, i cili është gjithashtu CEO i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla dhe prodhuesit të raketave SpaceX.
Deklaratat e tij erdhën pasi Apple të hënën njoftoi se po bashkëpunon me OpenAI për të vendosur ChatGPT në asistentin zanor Siri.
“Është krejtësisht absurde që Apple nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të krijuar AI-n e vet,… Apple nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë pasi t’i dorëzojë të dhënat tuaja OpenAI…”. /Telegrafi