Nis një stërvitje taktike e ushtrisë serbe me Forcat e Armatosura të SHBA-së
Ushtria serbe dhe Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të SHBA-së po zhvillojnë stërvitjen “Platinum Wolf 24”.
Një stërvitje taktike e quajtur “Platinum Wolf 24” ka nisur sot nga ushtria serbe dhe Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të SHBA-së.
Stërvitja, që do të zgjasë deri më 21 qershor, thuhet se ka qëllim përmirësimin e ndërveprimit dhe “mirëkuptimin e ndërsjellë të forcave të armatosura të vendeve partnere gjatë ekzekutimit të një operacioni për mbështetjen e paqes në një mjedis shumëkombësh”, sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Më shumë se 200 ushtarë do t’i praktikojnë taktikat, teknikat dhe procedurat që zbatohen kur përfshihen në operacione paqeje, me theks në përdorimin e armëve jovdekjeprurëse.
Lufta në një mjedis urban, mbrojtja e bazës, kontrolli i turmave masive dhe puna në postblloqe janë pjesë e aktiviteteve të planifikuara stërvitore”, thuhet në njoftim. /express