Prokuroria zvicerane kërkon 18 vjet burgim për shqiptarin që vrau gruan e tij nga Kosova
Të hënën ka vazhduar gjykimi nga Afrim T., i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij, Shqiponja I.
Më 25 shtator 2022, gruaja nga Kosova u gjet e vdekur në banjën e shtëpisë në Zvicër në Bergdietikon.
Fillimisht u dyshua se ajo ia kishte marrë jetën vetës, por pas hetimeve u konstatua se 41-vjeçarja ishte vrarë nga burri i saj, Afrim T., shtetas zviceran me rrënjë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, siç kishte njoftuar asokohe prokurori publik i Aargaut.
Sipas prokurorit, krimi ishte kryer nga i akuzuar “duke përdorur forcë brutale”.
Seanca e së hënës ishte e dyta lidhur me këtë rast.
Për këtë ka raportuar edhe gazeta e njohur zvicerane Blick.ch
Sipas kësaj gazete, për Afrim T, prokuroria zvicerane kërkon 18 vjet burgim.
Dëshminë e saj gjatë seancë e ka dhënë edhe motra e të akuzuarit.
Ajo ka thënë se ka pasur marrëdhënie shumë të mira me familjen e viktimës.
Sipas saj, nuk ka pasur asnjë kontakt me familjarët e së ndjerës që nga koha kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.
“Nuk na lejuan të merrnim pjesë as në varrim”, tha ajo.
Dëshminë e vazhdoi duke thënë se ajo kishte frikë pas këtij rasti dhe se gjithmonë lëvizte e shoqëruar nga të afërmit.
Tutje gazeta shkruan se motra e të pandehurit nuk ka treguar nëse ka frikë se mund të ndodhë ndonjë hakmarrje.
Ajo thotë se kishte raporte tejet të mira me kunatën e saj (viktimën).
Tutje theksoi se disa herë e kishte vizituar të vëllain në burg, dhe se ai ishte “penduar shumë për krimin”.
Dëshmitarja vazhdon duke thënë se e ka dashur shumë gruan e vëllait të saj.
Ato i shkruanin shpesh njëra-tjetrës, flisnin në telefon dhe takoheshin shpesh.
Papritur avokati i familjes së viktimës e ndërpreu marrjen në pyetje gjatë seancës.
Arsyeja e kësaj ndërprerje ishte se nëna e viktimës nuk ndihet fare mirë.
Ajo qante, dridhej e tëra dhe në fund u nxorr nga salla nga një i afërm.
Në këtë seancë ishte paraparë që të dëshmonte edhe nëna e viktimës, por për shkaqe shëndetësore nuk kishte pasur mundësi për një gjë të tillë.