Vulini nga Moska reagon ndaj Hovenierit dhe e rikthen termin ofendues “shiptari”: S’ju njohim si ambasador

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, nga Rusia ka reaguar ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se nuk është qëndrim i SHBA-së ajo që u tha në deklaratën e “Kuvendit gjithëserb” për Kosovën.

Vulini e quajti Hovenierin “të ashtuquajtur ambasador”, ndërsa e ka përdorur sërish termin pezhorativ “shiptari”, duke injoruar një vendim të gjykatës në Serbi, sipas të cilin termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.

“I ashtuquajturi ambasador i SHBA-së në Prishtinë ka problem me deklaratën e Kuvendit gjithëserb. Hovenieri nuk e ka problem që Kurti ta shfuqizojë dinarin, i cili shkel çdo marrëveshje dhe për 12 vjet pa e formuar Asociacionin, por është i zemëruar sepse Serbia dhe Srpska nuk e njohin Kosovën. Nëse e ka më të lehtë, nuk e njohim as si ambasador dhe mezi e njohin edhe Shiptari. Prandaj Hovenieri e bën punën e tij në Prishtinë sikur e kanë dërguar si dënim. Shiptari gjithmonë kishin frikë nga bosët në Washington, por edhe nga ambasadorët në Prishtinë. Që kur u dërgua Hovenieri tek ata, ata kanë frikë vetëm nga shefat e tij. Na kërcënoni, na zëvendësoni, na futni në sanksione kot, Kosova është Serbi”, tha Vulini, raporton Novosti.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha të hënën se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Srpska, ku Kosova përmendet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it ose kujtdo tjetër”, tha Hovenieri. /express