Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë, këto janë vendet prej nga vijnë

Numri i turistëve të huaj, të cilët vizitojnë Kosovën, është rritur nga viti në vit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në prill të këtij viti 29 mijë e 833 vizitorë të huaj kanë vizituar Kosovën, e që është një rritje për 43,4 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkaq numri më i madh i vizitorëve të huaj është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

“Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (prill 2023) ka rritje të vizitorëve për 43,4%. Në total 29 833 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj.”, thuhet në publikimin e statistikave të hotelerisë për muajin prill 2024.

Ndërkaq po ashtu sipas të dhënave të ASK-së në prill 2024, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj në hotele ishte 47 mijë 022, prej tyre 36,5%, ishin vendorë dhe 63,4% ishin të jashtëm. Ndërkaq, krahasuar muajin prill 2024 me muajin prill 2023 (sa ishin 38 289 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 22,8%.

Numri i net qëndrimeve ishte 103 022, prej tyre 45,9% nga vendorët dhe 54,0% nga të huajt.

Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm në hotele e ka rajoni i Pejës me 7 mijë e 240 vizitorë dhe me 28 369 net qëndrime.